Avokati i Popullit ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me pamjet e bëra publike gjatë ndërhyrjes së Policisë në protestën e zhvilluar përpara Parlamentit, duke bërë me dije se ka nisur një hetim administrativ ex-officio.
Sipas institucionit, pamjet e shoqërimit të protestuesve ngrenë dyshime serioze për përdorim joproporcional të forcës dhe cenim të dinjitetit njerëzor.
Në deklaratën zyrtare, Avokati i Popullit bën të ditur se ka kryer një vizitë në komisariat për të verifikuar në terren kushtet e ndalimit, trajtimin e personave të shoqëruar dhe respektimin e të drejtave të tyre procedurale. Sipas tij, grupit të monitorimit i është lejuar akses i menjëhershëm, ndërsa avokatëve të të ndaluarve jo.
“Nga këqyrja paraprake e pamjeve filmike, konstatojmë pamje që tregojnë goditje fizike ndaj protestuesve gjatë shoqërimit. Këto pamje ngrenë dyshime serioze për trajtim degradues dhe përdorim joproporcional të forcës”, thuhet në deklaratë.
Avokati i Popullit thekson gjithashtu parimin e proporcionalitetit, duke nënvizuar se forca mund të përdoret vetëm për të neutralizuar një rrezik real dhe duhet të ndërpritet menjëherë kur pushon rezistenca.
Sipas institucionit, reagimi ndaj akteve simbolike nuk justifikon përdorimin e dhunës fizike, ndërsa i është kërkuar Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore që të japin sqarime me shkrim brenda 48 orëve, përfshirë urdhrin operacional, regjistrimet e kamerave trupore dhe bazën ligjore të ndërhyrjes.
Në përfundim, Avokati i Popullit njofton se do të rekomandojë masa konkrete administrative në çdo rast ku do të evidentohen shkelje, duke theksuar se do të ndjekë me vëmendje të plotë procesin për garantimin e së drejtës për protestë.

