Policia Rrugore ka përditësuar informacionin zyrtar lidhur me aksidentin e rëndë të ndodhur rreth orës 15:00 në autostradën Durrës–Tiranë, në segmentin Qafë Kashar–Casa Italia.
Sipas të dhënave më të fundit, si pasojë e aksidentit ka humbur jetën drejtuesi i autobusit, shtetasi R. H., 36 vjeç, banues në Kombinat, Tiranë.
Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur edhe 12 pasagjerë, ku 7 prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë, ndërsa 5 të tjerë kanë pësuar lëndime të lehta dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Të gjithë të dëmtuarit po marrin trajtim mjekësor në spitale të ndryshme.
Autoritetet kanë sqaruar se konfuzioni fillestar mbi numrin e viktimave dhe të plagosurve u shkaktua nga situata e rënduar në vendngjarje dhe nga transportimi i të lënduarve në disa institucione shëndetësore.
Ndërkohë, një fëmijë i raportuar fillimisht si viktimë, pasi kishte mbërritur pa shenja jete në një spital privat, është rikthyer në jetë falë ndërhyrjes së menjëhershme mjekësore dhe më pas është transportuar në Spitalin Ushtarak, ku ndodhet nën kujdes intensiv.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.

