QEVERIA RISHIKON BUXHETIN 2026, SHTOHEN 20.1 MILIARDË LEKË PËR PENSIONET, SHËNDETËSINË, MBROJTJEN DHE INVESTIMET

QEVERIA RISHIKON BUXHETIN 2026, SHTOHEN 20.1 MILIARDË LEKË PËR PENSIONET, SHËNDETËSINË, MBROJTJEN DHE INVESTIMET

Qeveria ka miratuar rishikimin e parë të Buxhetit të Shtetit për vitin 2026 përmes një Akti Normativ, duke shtuar 20.1 miliardë lekë në të ardhurat dhe shpenzimet e planifikuara, pa ndryshuar nivelin e deficitit buxhetor.

Sipas draftit të ndryshimeve, ndërhyrja financiare mbështetet në performancën pozitive të pesëmujorit të parë të vitit, ku të ardhurat buxhetore janë realizuar mbi pritshmëritë, duke krijuar hapësira për financimin e prioriteteve të reja pa rritur deficitin dhe pa cenuar objektivat e konsolidimit fiskal.

Me ndryshimet e propozuara, të ardhurat e përgjithshme të buxhetit arrijnë në 843.1 miliardë lekë, ose 20.1 miliardë lekë më shumë se plani fillestar, një rritje prej 2.4%. Ndërkohë, deficiti buxhetor mbetet i pandryshuar në nivelin 63.7 miliardë lekë.

Pensionet indeksohen tre muaj më herët

Një nga masat më të rëndësishme të paketës është përshpejtimi i indeksimit të pensioneve. Në vend që rritja të hynte në fuqi më 1 tetor, ajo do të zbatohet që nga 1 korriku 2026.

Për këtë qëllim, Institutit të Sigurimeve Shoqërore i shtohen 872 milionë lekë, të cilat do të mbulojnë efektin financiar të indeksimit prej 2.7%, me synimin për të zbutur më shpejt ndikimin e inflacionit tek pensionistët.

4.5 miliardë lekë më shumë për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale rezulton përfituesja më e madhe e rishikimit, me rreth 4.5 miliardë lekë shtesë.

Paketa parashikon:

  • 750 milionë lekë për dyfishimin e pagesës për 10,720 fëmijë me aftësi të kufizuara;
  • 674 milionë lekë për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore për 14,657 kujdestarë të personave me aftësi të kufizuara;
  • 1.5 miliardë lekë për furnizimin me barna onkologjike;
  • 150 milionë lekë për rritjen e pagave të mjekëve dhe teknikëve të shkencave mjekësore;
  • 100 milionë lekë për fondin e kompensimit të ish-të përndjekurve politikë;
  • 700 milionë lekë për pajisje spitalore, laboratorike dhe zhvillimin e infrastrukturës dixhitale në shëndetësi.

Mbrojtja merr mbi 10 miliardë lekë shtesë

Projekt-akti parashikon gjithashtu një rritje të konsiderueshme të financimit për Ministrinë e Mbrojtjes, e cila do të përfitojë 10.3 miliardë lekë shtesë për investime dhe shpenzime operative.

Paketa përfshin edhe shtimin e 300 efektivëve të rinj në Forcat e Armatosura, ndërsa buxheti i mbrojtjes pritet të arrijë në 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke përmbushur objektivat e përcaktuara nga NATO.

Fonde shtesë për arsimin, policinë dhe biznesin

Ministria e Arsimit do të përfitojë rreth 750 milionë lekë shtesë, të cilat do të përdoren për financimin e teksteve falas, mbështetjen e studentëve dhe investime në shkolla e universitete.

Ndërkohë, Ministrisë së Brendshme i shtohen 664 milionë lekë, ku një pjesë e konsiderueshme do të përdoret për Policinë e Shtetit, indeksimin e pagave, mirëmbajtjen e sistemeve teknologjike dhe forcimin e administratës së Gjendjes Civile.

Edhe Ministria e Ekonomisë përfiton rreth 1.6 miliardë lekë shtesë, të orientuara drejt mbështetjes së biznesit, skemës “Start-Up Albania”, programit “Dyfisho Biznesin Tënd” dhe zgjerimit të Garancisë Sovrane për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme.

6.5 miliardë lekë për Fondin Shqiptar të Zhvillimit

Një nga zërat më të mëdhenj të investimeve është financimi shtesë për Fondin Shqiptar të Zhvillimit, i cili do të përfitojë 6.5 miliardë lekë nga buxheti i shtetit dhe 1 miliard lekë nga financimet e huaja.

Fondet do të përdoren për projekte infrastrukturore, blerjen e makinerive, autobusëve për bashkitë dhe financimin e projekteve me ritëm të lartë realizimi.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *