KUSH ËSHTË SALVADORE ALIAS SHPËTIM ALIU, FIGURA KYÇE E DOSJES SË SPAK PËR TRAFIKUN NDËRKOMBËTAR TË KOKAINËS

KUSH ËSHTË SALVADORE ALIAS SHPËTIM ALIU, FIGURA KYÇE E DOSJES SË SPAK PËR TRAFIKUN NDËRKOMBËTAR TË KOKAINËS

Salvadore alias Shpëtim Aliu konsiderohet një nga personat kyç në operacionin e fundit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) kundër grupeve kriminale të përfshira në trafikun ndërkombëtar të kokainës.

Sipas hetimeve, Aliu ka luajtur një rol qendror në skemën kriminale, duke vepruar si hallka kryesore furnizuese e lëndës narkotike për disa prej grupeve më të rëndësishme të përfshira në këtë aktivitet. Ai dyshohet se furnizonte me kokainë grupet e drejtuara nga Shpëtim Gjika, Eldi Dizdari dhe Armando Pacani.

Në njoftimin zyrtar, SPAK bën me dije se në zbatim të vendimeve gjyqësore janë ushtruar 23 kontrolle në banesa, ambiente biznesi, zyra të shoqërive tregtare dhe ndaj personave të përfshirë në hetim. Gjatë veprimeve hetimore janë siguruar prova që dokumentojnë të paktën pesë episode të trafikimit të sasive të mëdha të kokainës.

Sipas dosjes hetimore, në këto episode janë sekuestruar në total 8 tonë e 960 kilogramë kokainë:

  • 11 maj 2020 – 700 kilogramë kokainë u sekuestruan në portin e Waasland në Antverp të Belgjikës, të fshehura në një kontejner me pjesë këmbimi automjetesh të ardhur nga Kina.
  • 6 qershor 2020 – Autoritetet sekuestruan 2 tonë e 10 kilogramë kokainë në Guayaquil të Ekuadorit. Ngarkesa kishte destinacion final Holandën dhe mbante logot “Jaguar”, “Shqiponja” dhe “BB”.
  • 16 gusht 2020 – U sekuestruan 1.1 ton kokainë në portin e Roterdamit në Holandë, e transportuar nga Guayaquil i Ekuadorit.
  • 16 dhjetor 2020 – Një tjetër goditje e madhe çoi në sekuestrimin e 4.1 tonëve kokainë në portin e Roterdamit, me origjinë po nga Guayaquil.
  • 3 shkurt 2021 – U ndalua tentativa për trafikimin e 1 ton e 50 kilogramëve kokainë në Kolumbi, me destinacion përfundimtar Francën.

Sipas SPAK, hetimet kanë zbuluar se këto pesë episode përfaqësojnë vetëm një pjesë të aktivitetit të grupit kriminal. Prokuroria dyshon se anëtarët e organizatës kanë trafikuar dhjetëra tonë të tjera kokainë nga Amerika Latine drejt vendeve të Europës, duke gjeneruar fitime shumë të mëdha nga shitja dhe shpërndarja e lëndës narkotike.

Operacioni konsiderohet një nga goditjet më të rëndësishme ndaj rrjeteve shqiptare të trafikut ndërkombëtar të drogës, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë dhe gjurmimin e pasurive të krijuara nga aktiviteti kriminal.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *