Specialistë të Drejtorisë së Policisë Kufitare Vlorë kanë bërë të mundur ditën e djeshme nxjerrjen nga deti të mjetit lundrues të përfshirë në aksidentin tragjik të ndodhur të hënën në Ksamil, ku humbi jetën 22-vjeçari Albion Kreçi.
Operacioni u realizua me ndihmën e një vinçi, pasi mjeti ishte fundosur pas përplasjes me skafin e Policisë Kufitare. Sipas informacioneve, për shkak të dëmtimeve të marra gjatë përplasjes, mjeti ishte çarë dhe kishte përfunduar në fund të detit.
Pas kërkimeve, ai u lokalizua në një thellësi prej 34 metrash. Më pas u nxor në sipërfaqe dhe u transportua në vendbazimin e mjeteve të bllokuara në Ksamil, ku do të mbahet si provë materiale në kuadër të hetimeve për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Ndërkohë, Policia Kufitare e Sarandës ka vijuar kontrollet në zonat bregdetare. Gjatë inspektimeve të zhvilluara sot, janë bllokuar gjithsej 8 mjete ujore, prej të cilave 7 në Ksamil dhe 1 në Sarandë.
Mjetet e sekuestruara janë transportuar në portin e Sarandës, ku do t’i nënshtrohen verifikimeve të mëtejshme për dokumentacionin dhe përmbushjen e kushteve ligjore të lundrimit.
Autoritetet kanë paralajmëruar se kontrollet do të vijojnë gjatë gjithë sezonit turistik me qëllim garantimin e sigurisë në hapësirat detare dhe parandalimin e shkeljeve që mund të rrezikojnë jetën e pushuesve.

