Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi, ndërsa policia vijon kërkimet intensive për gjetjen e tij dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Sipas informacioneve, kontrollet janë shtrirë në disa zona, përfshirë Krrabën, Elbasanin dhe Librazhdin, ndërsa së fundmi kërkimet janë përqendruar në Qafëmollë dhe në Pëllumbas. Këto zona dyshohet se janë të njohura për 41-vjeçarin Armand Shakaj, i dyshuar në lidhje me rastin dhe mik i viktimës.
Burime policore bëjnë me dije se ka dyshime që pas ngjarjes, automjeti i Shakajt është parë në zonën e Pëllumbasit. Policia e Tiranës po vijon kontrolle të imtësishme në terren dhe verifikime të kamerave të sigurisë, me qëllim gjetjen e trupit të 34-vjeçarit dhe lokalizimin e autorit të dyshuar.
Sipas të njëjtave burime, Shakaj ka qenë ndër personat e parë të marrë në pyetje pas denoncimit të familjarëve të Koçit. Nga verifikimi i tabulateve telefonike rezultoi se personi i fundit që kishte komunikuar me 34-vjeçarin ishte pikërisht ai.
I pyetur nga policia, Shakaj ka deklaruar se nuk kishte dijeni për fatin e mikut të tij dhe se ishte vetë i shqetësuar për zhdukjen e tij. Ai është përballur edhe me familjarët e Koçit, të cilëve u ka thënë se ishte bërë merak dhe se, nëse e gjenin, duhet t’i thoshin që ta kontaktonte.
Më tej, burime pranë hetimit bëjnë me dije se pas daljes nga komisariati, ai është mbajtur nën vëzhgim nga policia, por më pas ka humbur gjurmët. Hetimet e mëtejshme dhe analizimi i kamerave të sigurisë dyshohet se kanë ngritur dyshime se ai mund të ketë rrëmbyer 34-vjeçarin.
Sipas të dhënave të sistemit TIMS, Shakaj nuk ka dalë jashtë territorit të Shqipërisë, ndërsa policia dyshon se ai ndodhet ende brenda vendit. Hetimet vijojnë në disa pista për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
