Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka nisur një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku është pritur në Parlamentin e Shtetit të Nju Xhersit nga guvernatorja Mikie Sherrill dhe gjeneral brigade Yvonne L. Mays, adjutante e Përgjithshme e shtetit të Nju Xhersit dhe komisionere për Çështjet Ushtarake.
Vizita shënon ndalesën e parë të aktiviteteve që organizohen në kuadër të 25-vjetorit të partneritetit mes Shqipërisë dhe Gardës Kombëtare të Nju Xhersit. Ky bashkëpunim konsiderohet një nga programet më të suksesshme në fushën e mbrojtjes, duke kontribuar në rritjen e kapaciteteve ushtarake, forcimin e sigurisë dhe ndërveprueshmërisë mes dy vendeve aleate.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, ministri Nufi theksoi rëndësinë e marrëdhënieve strategjike me Shtetet e Bashkuara.
“Partneriteti strategjik me SHBA mbetet një nga shtyllat kryesore të politikës sonë të sigurisë dhe mbrojtjes. Shqipëria do të vazhdojë të jetë një aleate e besueshme, duke kontribuar me përgjegjësi për paqen, stabilitetin dhe sigurinë e përbashkët”, u shpreh ai.
Gjatë qëndrimit në SHBA, ministri Nufi do të marrë pjesë në një sërë aktivitetesh për përkujtimin e 25-vjetorit të Programit të Partneritetit Shtetëror në Nju Xhersi. Axhenda e vizitës përfshin gjithashtu udhëtimin në Uashington, ku do të zhvillojë takime dhe bisedime dypalëshe me zyrtarë amerikanë për çështje të mbrojtjes dhe sigurisë.
