Shqipëria po përballet me një transformim të thellë demografik, teksa rënia e lindshmërisë, emigracioni dhe plakja e popullsisë po ndryshojnë me shpejtësi strukturën e shoqërisë. Të dhënat zyrtare të popullsisë më 1 janar 2026 tregojnë se vendi humbi mbi 27 mijë banorë gjatë vitit 2025, duke shënuar një tkurrje prej 1.2% brenda vetëm një viti.
Më shqetësuese se rënia e numrit të përgjithshëm të popullsisë është tkurrja e vazhdueshme e grup-moshave të reja. Sipas statistikave, grup-mosha 0-4 vjeç është zvogëluar me 2.3%, ose rreth 2,477 fëmijë më pak krahasuar me një vit më parë.
Rëniet më të forta janë regjistruar te të rinjtë në moshë pune. Numri i personave 25-29 vjeç është ulur me 4.4%, ose me rreth 5,955 individë, ndërsa grup-mosha 30-34 vjeç ka pësuar tkurrjen më të madhe, me 4.7%, që përkthehet në 6,853 persona më pak. Ekspertët e lidhin këtë fenomen me emigracionin e vazhdueshëm të të rinjve dhe rënien e lindshmërisë.
Në total, grup-moshat nga 0 deri në 34 vjeç janë pakësuar me rreth 33 mijë persona gjatë vitit 2025, një numër që i afrohet popullsisë së një bashkie të tërë si Kurbini.
Ndërkohë, në kahun tjetër, plakja e popullsisë po përshpejtohet. Të dhënat tregojnë se grup-mosha 70-74 vjeç është rritur me 6%, ndërsa ajo 75-79 vjeç me 8.3% brenda një viti. Rritje të njëjtë prej 8.3% ka shënuar edhe grupi i personave mbi 85 vjeç.
Numri i qytetarëve mbi 85 vjeç është rritur nga 39,996 në vitin 2024 në 43,323 në vitin 2025, duke shtuar 3,327 të moshuar brenda një viti. Kjo prirje lidhet si me plakjen e brezave të lindur gjatë periudhave me natalitet të lartë, ashtu edhe me rritjen e jetëgjatësisë.
Ekspertët paralajmërojnë se ky zhvillim do të sjellë sfida të mëdha për sistemin e kujdesit shëndetësor, pensionet dhe shërbimet sociale. Në të njëjtën kohë, tregu i punës po ndjen efektet e para të mungesës së forcës së re punëtore.
Me zvogëlimin e grup-moshave produktive dhe riprodhuese, bizneset dhe institucionet pritet të përballen me vështirësi në gjetjen e punonjësve të kualifikuar. Për këtë arsye, shumë sektorë po orientohen drejt automatizimit të proceseve ose po shqyrtojnë mundësinë e punësimit të punëtorëve të huaj për të plotësuar boshllëqet në tregun e punës.
Shifrat e fundit konfirmojnë se Shqipëria po hyn në një fazë të re demografike, ku sfida kryesore nuk është vetëm rënia e popullsisë, por edhe plakja e shpejtë e saj dhe ndikimi që kjo do të ketë në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit në dekadat e ardhshme.
Burimi: Monitor
