PUSHOHET NDJEKJA PENALE PËR 6 TË MITUR TË ARRESTUAR PAS PROTESTËS SË 10 SHKURTIT

PUSHOHET NDJEKJA PENALE PËR 6 TË MITUR TË ARRESTUAR PAS PROTESTËS SË 10 SHKURTIT

Gjashtë nga shtatë të miturit e arrestuar pas protestës së opozitës më 10 shkurt para Kryeministrisë janë përjashtuar nga ndjekja penale, pasi prokuroria ka vendosur pushimin e çështjes ndaj tyre dhe aplikimin e një mase alternative përmes paralajmërimit.

Sipas vendimit të gjykatës të rinjtë u arrestuan pas protestës së thirrur nga Partia Demokratike, ku dyshohet se morën pjesë në akte dhune ndaj institucioneve dhe forcave të rendit. Hetimet kanë dokumentuar përfshirjen e tyre përmes pamjeve filmike, raporteve të vëzhgimit dhe dëshmive të 13 efektivëve të policisë që mbetën të lënduar gjatë protestës.

Gjatë hetimit, me urdhër të prokurores Eriselda Bala, të miturit iu nënshtruan vlerësimeve psikologjike. Ekspertiza mori në konsideratë nivelin e përgjegjshmërisë, zhvillimin intelektual, kushtet e jetesës dhe situatën familjare të secilit prej tyre. Sipas përfundimeve, një dënim penal mund të kishte pasoja negative në zhvillimin emocional dhe social të të rinjve.

Për këtë arsye, prokuroria aplikoi masën e shmangies nga ndjekja penale përmes paralajmërimit, të parashikuar nga Kodi i Drejtësisë Penale për të Miturit. Paralajmërimi është bërë në prani të avokatit dhe psikologut, duke i informuar të miturit për rëndësinë e veprave të dyshuara, dëmet e shkaktuara dhe pasojat ligjore në rast përsëritjeje.

Pas pushimit të çështjes, gjykata vendosi edhe shuarjen e masës së sigurisë “detyrim për paraqitje” ndaj tyre.

Ndërkohë, për të miturin e shtatë, tek i cili në momentin e arrestimit u gjetën shtatë mjete piroteknike, prokuroria ka vendosur dërgimin e çështjes në gjykatë. Ai do të përballet me akuzat për “goditje për shkak të detyrës”, “prishje të rendit dhe qetësisë publike” si dhe “organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme”.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *