GJYKATA KUSHTETUESE JEP VENDIM TË NDARË PËR KOMISIONET HETIMORE

GJYKATA KUSHTETUESE JEP VENDIM TË NDARË PËR KOMISIONET HETIMORE

Gjykata Kushtetuese ka shpallur vendimin lidhur me kërkesën e deputetëve të Partisë Demokratike për rrëzimin e dy komisioneve hetimore, që lidhen me çështjen “McGonigal” dhe zgjedhjet e 11 majit 2025.

Trupa kushtetuese ka legjitimuar kërkuesit për vënien në lëvizje të gjykatës, por nuk ka pranuar të gjitha pretendimet e parashtruara nga opozita.

Në vendim, Gjykata Kushtetuese arsyeton se për çështjen e ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal, nuk plotësohen kushtet për ngritjen e një komisioni hetimor, duke lënë në fuqi vendimin e Kuvendit për rrëzimin e kërkesës së një të katërtës së deputetëve. Sipas gjykatës, nuk është arritur shumica e nevojshme për vlerësimin e kriterit kushtetues të “çështjes së veçantë”, për shkak të interpretimeve të ndryshme mbi indiciet dhe parimin e ndarjes së pushteteve.

Ndërkohë, për kërkesën tjetër që lidhet me zgjedhjet e 11 majit 2025, Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të pranimit të saj. Sipas arsyetimit, kërkesa plotëson kriteret kushtetuese për ngritjen e një komisioni hetimor, duke e konsideruar të bazuar në nenin 77 të Kushtetutës dhe jurisprudencën përkatëse.

Ky vendim i ndarë ka sjellë reagime të forta politike.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese nuk ka bërë drejtësi, por politikë. Ai e ka cilësuar vendimin si të ndikuar politikisht dhe ka shprehur kritika të forta edhe ndaj Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke akuzuar institucionin për moshetim të çështjes “McGonigal”.

Sipas Bardhit, kallëzimi i bërë në vitin 2023 për këtë çështje nuk është trajtuar ende nga organet hetimore, duke e cilësuar këtë si një neglizhencë institucionale.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pritet të ndikojë në debatin politik në vijim, ndërsa palët kanë interpretime krejt të ndryshme mbi arsyetimin e trupës gjyqësore.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *