Publikimi i listës fituese për Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike ka konfirmuar zyrtarisht atë që prej kohësh përshitej nën rrogozin e politikës korçare. Përzgjedhja e Andrea Manos dhe Eleina Qiricit në organin më të lartë vendimmarrës të partisë mes dy kuvendeve, nuk është thjesht një zhvillim rutinë. Përkundrazi, nëse i bëhet një radiografi të shkuarës dhe trajektores politike të këtyre individëve, ky vendim vulos saktësinë e parashikimeve më skeptike: “Partia Demokratike e Korçës po kalon de facto nën administrimin dhe ndikimin e lartë të socialistit Niko Peleshi”.
Në çdo sistem demokratik të shëndoshë, karriera politike kushtëzohet nga vota, besueshmëria dhe performanca elektorale. Në rastin e Korçës, ky parim është përmbysur plotësisht. Slogani më i gjetur që përshkruan këtë realitet është: “Humb që te promovohesh, shit që të gradohesh.“
Niveli i përfaqësimit të këtyre emrave në raport me frymën reale të demokratëve në terren mezi arrin në 3%. Lind pyetja legjitime: Po 97% e mbetur e demokratëve korçarë, ata që kanë mbajtur peshën e opozitarizmit në ditët më të vështira, ku ndodhen?
Ky lloj selektimi krijon një hendek të rrezikshëm mes elitës së emëruar dhe bazës sakrifikuese. Kur humbësit kronikë apo figurat që nuk gëzojnë mbështetje plebishitare ngjiten në hierarki, mesazhi që i dërgohet anëtarësisë është demotivues: “sakrifica juaj nuk vlen, vlejnë vetëm paktet e mbyllura në zyra të errëta”.
Një pikë mjaft kritike e këtij kapitullimi lidhet me rolin e deputetëve aktualë të PD. Ata po shfaqen si “eunukë” të vërtetë politikë, të zhveshur nga çdo lloj influence apo autoriteti për të mbrojtur dhe përfaqësuar interesat e atyre mijëra qytetarëve që i votuan dhe i besuan mandatin. Fakti që ata nuk patën as më të voglën peshë në vendimmarrjen për Këshillin Kombëtar tregon se ata janë izoluar ose vetëizoluar brenda luksit të mandatit të tyre, duke braktisur mbrojtjen e strukturës.
Kjo paaftësi ose tërheqje e qëllimshme i hap rrugën instalimit të një skenari ku opozita lokale kthehet në një satelit të pushtetit. Teza e kalimit të degës nën administrimin e Niko Peleshit gjen terren pikërisht këtu sepse kur opozitën e udhëheqin njerëz të dobët ose me fije të lidhura pas pushtetit, Partia Socialiste nuk ka më nevojë të bëjë fushatë në Korçë. Opozita e kontrolluar është dhurata më e mirë për maxhorancën.
E ashtuquajtura “ripërtëritje” apo “riorganizim” i partisë po kthehet në një proces fasadë që paralajmëron një RI-HUMBJE të turpshme dhe ceremoniale. Ky trend destruktiv pritet të kulmojë me zgjedhjet për kryetar dege, të cilat qëllimisht janë lënë pezull. Skenari është i qartë: “kandidati që do të përzgjidhet apo paracaktohet për të marrë drejtimin e degës nuk do të jetë gjë tjetër veçse një “kukull” në duart e Andrea Manos (dhe rrjedhimisht, nën hijen e Peleshit)”. Me këtë strukturim të ri, zgjedhjet e ardhshme nuk do të jenë më një garë politike, por thjesht një formalitet ku humbja e radhës e PD-së është e certifikuar që pa filluar.
Përgjegjësia për këtë degradim të degës së Korçës nuk mbetet vetëm lokale. Ky rrugëtim humbës mban firmën dhe vulën zyrtare të drejtuesve qendrorë si Flamur Noka dhe Ivi Kaso, të cilët ose nga paaftësia për të lexuar terrenin, ose nga kompromiset e kalkuluara, kanë ndezur dritën jeshile për këtë ngrehinë të dështuar politike.
