KORÇË/ TREGTARËT NË TREGUN MAQEDONAS PROTESTOJNË NDAJ GJOBAVE. ULIN QEPENAT NË SHENJË REVOLTE

KORÇË/ TREGTARËT NË TREGUN MAQEDONAS PROTESTOJNË NDAJ GJOBAVE. ULIN QEPENAT NË SHENJË REVOLTE

Një pjesë e konsiderueshme e tregtarëve që ushtrojnë aktivitetin në tregun maqedonas në Korçë kanë ulur qepenat në shenjë proteste ndaj masave administrative të vendosura nga Policia Bashkiake.

Sipas tregtarëve, shkak për protestën janë bërë gjobat e vendosura për mosrespektimin e afateve lidhur me heqjen e tendave dhe reklamimin e mallrave në hapësirat publike.

Ata pretendojnë se nuk kanë pasur mundësi të aplikojnë në kohë për shkak të problemeve me platformën e-Albania.

“Bashkia ka lënë akt-konstatime pa u marrë vesh me ne. e-Albania nuk punonte dhe afati ishte shumë i shkurtër”, u shpreh një prej tregtarëve.

Sipas tyre, ekspozimi i mallrave jashtë ambienteve të dyqaneve është pjesë normale e aktivitetit tregtar dhe nuk ka penguar lëvizjen në trotuare.

Disa tregtarë deklarojnë se situata ekonomike është rënduar ndjeshëm dhe se po mendojnë të mbyllin aktivitetin dhe të largohen jashtë vendit.

“Puna ka rënë shumë. Penalizohemi vazhdimisht dhe e vetmja zgjidhje mbetet emigrimi”, tha një tjetër tregtar.

Nga ana tjetër, burime pranë Bashkia Korçë bëjnë me dije se subjektet tregtare janë njoftuar prej ditësh për lirimin e hapësirave publike dhe heqjen e tendave.

Sipas bashkisë, për subjektet që nuk kanë zbatuar rregullat janë marrë masa administrative në përputhje me ligjin.

Situata ka rikthyer debatin mes tregtarëve dhe institucioneve vendore për menaxhimin e hapësirave publike dhe mbështetjen ndaj biznesit të vogël.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *