Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë sot një vizitë pune në Estonia, ku do të marrë pjesë në Lennart Meri Conference 2026, një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare mbi politikën e jashtme, sigurinë dhe sfidat gjeopolitike globale.
Konferenca organizohet këtë vit nën moton “Fati i favorizon të guximshmit”, ndërsa Rama do të jetë pjesë e panelit hapës “Një Urë mbi Ujëra të Trazuara: Kapitulli i Ardhshëm i Bashkëpunimit Transatlantik”, së bashku me liderë dhe përfaqësues të lartë euroatlantikë.
Diskutimet pritet të fokusohen te e ardhmja e partneritetit transatlantik, forcimi i shtyllës europiane të NATO, sfidat globale të sigurisë dhe roli i Ukrainës në arkitekturën e re të sigurisë europiane.
Gjatë vizitës në Tallinn, Kryeministri Rama do të zhvillojë një takim dypalësh me homologun estonez Kristen Michal në Shtëpinë Stenbock, si dhe do të pritet nga presidenti estonez Alar Karis.
Në axhendën e delegacionit shqiptar është përfshirë edhe vizita në NATO Cooperative Cyber Defence Centre of Excellence, ku do të zhvillohen takime me drejtuesit e qendrës mbi mbrojtjen kibernetike në kuadër të NATO-s.
Rama do të vizitojë gjithashtu Memorialin e Viktimave të Komunizmit në Maarjamäe dhe qendrën e-Estonia Briefing Centre, e njohur ndërkombëtarisht për inovacionin dhe qeverisjen digjitale.
Gjatë qëndrimit në Estoni, kryeministri shqiptar do të japë edhe një intervistë për të përditshmen estoneze “Postimees”, ku pritet të flasë mbi perspektivën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
