Një deklaratë e presidentit amerikan Donald Trump, ku ai dukej sikur pretendonte se ishte zbuluar një ilaç që “ngjall të vdekurit”, u përhap me shpejtësi në internet dhe shkaktoi reagime të shumta.
“Kemi marrë njerëz që ishin të vdekur”, tha Trump gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët në Zyrën Ovale. “Kishim një person që kishte marrë ritin e fundit fetar, kishte ikur, fëmijët po qanin e gjithçka, dhe nisën t’i jepnin këtë ilaç. Dhe personi u përmirësua. Funksionon”, deklaroi ai.
Megjithatë, videoja e plotë e deklaratës tregon se komentet e Trump janë nxjerrë jashtë kontekstit. Presidenti amerikan po i referohej Right to Try Act, një ligj i miratuar gjatë mandatit të tij të parë, që u lejon pacientëve me sëmundje terminale të provojnë trajtime eksperimentale ende të pamiratuara plotësisht.
Në thelb, Trump po fliste për raste të rralla kur pacientë në gjendje shumë të rëndë kanë shfaqur përmirësime pas trajtimeve eksperimentale. Megjithatë, mënyra dramatike e formulimit të deklaratës bëri që shumë përdorues në rrjet ta interpretonin sikur ai pretendonte ekzistencën e një “ilaçi mrekullibërës” që rikthen të vdekurit në jetë.
Ligji “Right to Try Act” mbetet gjithashtu subjekt debatesh në SHBA. Kritikët argumentojnë se pacientët kishin edhe më parë akses në trajtime eksperimentale përmes procedurave të veçanta, ndërsa ligji i ri reduktoi disa mbrojtje ligjore për pacientët në rast abuzimesh apo mashtrimesh mjekësore.
