Policia e Sarandës ka arrestuar 8 persona dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, pasi dyshohen për ndërtim të paligjshëm në një hapësirë plazhi në lagjen nr. 1 të qytetit.
Sipas autoriteteve, në zonë është konstatuar një objekt me disa struktura, pjesërisht të ndërtuara edhe në ujë, ku po kryheshin punime pa leje.
Gjatë ndërhyrjes janë arrestuar në flagrancë 8 shtetas me banim në Sarandë, Delvinë, Lushnjë, Tiranë, Lezhë dhe Mat. Ndërkohë, është shpallur në kërkim edhe shtetasja A. B., e cila dyshohet se posedon hapësirën e plazhit dhe për llogari të së cilës janë kryer punimet.
Policia njofton se, pas veprimeve procedurale, janë angazhuar edhe IKMT, IMT dhe Policia Bashkiake, të cilat po vijojnë me prishjen e ndërtimeve të paligjshme në zonë.
Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
