SHQIPËRIA NDËR VENDET E FUNDIT NË EUROPË PËR VERIFIKIMIN E LAJMEVE ONLINE, VETËM 14.3% KONTROLLOJNË INFORMACIONIN

SHQIPËRIA NDËR VENDET E FUNDIT NË EUROPË PËR VERIFIKIMIN E LAJMEVE ONLINE, VETËM 14.3% KONTROLLOJNË INFORMACIONIN

Vetëm 14.34% e individëve në Shqipëri të moshës 16–74 vjeç janë përpjekur të verifikojnë vërtetësinë e informacionit ose përmbajtjes që kanë gjetur në internet, duke përdorur burime të tjera. Të dhënat e Eurostat e rendisin Shqipërinë ndër vendet me nivelin më të ulët të verifikimit të informacionit online në Europë.

Shifra është shumë më e ulët se mesatarja e Bashkimit Europian, ku rreth 29.16% e individëve kanë kontrolluar informacionin e gjetur në internet gjatë vitit 2025.

Me këtë rezultat, Shqipëria renditet e treta nga fundi. Përqindje më të ulëta janë regjistruar vetëm në Greqi, me 9.78%, dhe Serbi, me 11.13%. Pas Shqipërisë renditen Lituania me 14.92%, Turqia me 16.93%, Bosnjë-Hercegovina me 18.02% dhe Rumania me 18.19%.

Në Ballkanin Perëndimor, situata paraqitet disi më mirë në Malin e Zi, ku 21.43% e individëve kanë verifikuar informacionin online. Maqedonia e Veriut shënon 24.22%, duke regjistruar nivelin më të lartë të këtij treguesi në rajon.

Në skajin tjetër të tabelës qëndrojnë vendet e Europës Veriore dhe Perëndimore. Irlanda kryeson me 63.64%, e ndjekur nga Holanda me 53.06% dhe Luksemburgu me 45.24%. Suedia shënon 44.61%, Finlanda 39.60% dhe Belgjika 36.25%.

Në nivelin e Bashkimit Europian, rreth 3 në 10 persona kontrolluan në vitin 2025 vërtetësinë e informacionit ose përmbajtjes që gjetën online. Eurostat e mat këtë tregues përmes anketës mbi përdorimin e teknologjive të informacionit dhe komunikimit nga individët.

Të dhënat marrin rëndësi të veçantë në një kohë kur dezinformimi dhe lajmet e rreme janë bërë pjesë e debatit publik. Sipas Eurobarometrit të Komisionit Europian, 66% e europianëve deklarojnë se janë përballur të paktën herë pas here me dezinformim ose lajme të rreme, ndërsa 82% e konsiderojnë informacionin e rremë ose atë që shtrembëron realitetin si problem për demokracinë.

Shifrat tregojnë një hendek të konsiderueshëm mes Shqipërisë dhe vendeve europiane sa i përket verifikimit të informacionit online, duke e bërë aftësinë për të kontrolluar burimet dhe vërtetësinë e lajmeve një sfidë të rëndësishme për edukimin digjital.

Burimi: Monitor

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *