Mijëra qytetarë kanë protestuar në Madrid dhe dhjetëra qytete të tjera të Spanjës, duke kërkuar masa konkrete për krizën e strehimit dhe mbrojtjen e së drejtës për një banesë të përballueshme.
Protestat u shoqëruan me fishkëllima dhe zhurmën e çelësave, tenxhereve dhe tiganëve, ndërsa manifestuesit shprehën zemërimin pas rrëzimit në Kongresin e Deputetëve të dy dekreteve të miratuara nga qeveria e kryeministrit Pedro Sánchez për trajtimin e krizës së strehimit.
Dekretet u rrëzuan me votat e një shumice parlamentare të krahut të djathtë, të përbërë nga Partia Popullore, Vox dhe forca katalanase Junts per Catalunya.
Në Madrid, protestuesit marshuan duke brohoritur “Turp!” dhe “Spekulatorët jashtë lagjeve tona!”, ndërsa kërkuan ndërhyrje më të fortë të autoriteteve përballë rritjes së kostove të banesave dhe qirave.
Sipas autoriteteve të kryeqytetit, në protestë morën pjesë rreth 70 mijë persona. Sindikata e Qiramarrësve, ndërkohë, vlerësoi pjesëmarrjen në më shumë se gjysmë milioni.
Manifestuesit u nisën nga katër pika të ndryshme të Madridit dhe u bashkuan në Plaza Cibeles, në një prej protestave më të mëdha të zhvilluara për çështjen e strehimit.
Në protestë u bashkuan edhe aktivistë të lëvizjes “Indignados”, të cilët prej rreth një jave kanë ngritur një kamp në Puerta del Sol, në qendër të Madridit, pavarësisht reshjeve të dendura të shiut.
Protestuesit kanë bërë thirrje për një mobilizim më të gjerë dhe për masa urgjente nga qeveria për të frenuar krizën e strehimit në Spanjë.

