Një 36-vjeçar nga Prishtina është arrestuar në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinës, pasi dyshohet se tentoi të fuste kontrabandë në Shqipëri një sasi të konsiderueshme fishekzjarresh, me qëllim shitjen e tyre në Tiranë.
Sipas Policisë, shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në kuadër të kontrolleve të bazuara në analizën e riskut dhe të fokusuara në parandalimin e paligjshmërive në kufi, kanë kaluar për kontroll të imtësishëm në vijën e dytë një automjet tip “Benz”, me drejtues shtetasin G. M.
Gjatë kontrollit të automjetit, efektivët kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 11 kuti me gjithsej 691 fishekzjarre.
Nga veprimet hetimore dyshohet se 36-vjeçari synonte t’i fuste në mënyrë të paligjshme në territorin e Republikës së Shqipërisë, me qëllim tregtimin e tyre në Tiranë.
Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës kanë arrestuar në flagrancë shtetasin G. M., 36 vjeç, banues në Prishtinë.
Ai akuzohet për veprën penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose kufizuara”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

