Amir Abrashi do të vazhdojë të jetë pjesë e Grasshopper Club Zürich edhe për të paktën një sezon tjetër. Klubi zviceran ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës me mesfushorin shqiptar, i cili ka vendosur që karrierën e tij ta mbyllë pikërisht në Cyrih, aty ku është kthyer në një figurë simbolike.
Me një kontribut të gjatë dhe rreth 280 paraqitje, Abrashi konsiderohet si një nga lojtarët më me ndikim në historinë e klubit. Drejtori sportiv i GC Zurich, Alain Sutter, vlerësoi lart rolin e tij në skuadër.
“Amiri mishëron në mënyrë të përkryer vlerat e klubit tonë. Mentaliteti, përvoja dhe prania e tij kanë një vlerë të jashtëzakonshme. Jemi shumë të lumtur që do ta kemi me ne edhe sezonin e ardhshëm,” u shpreh Sutter.
Nga ana e tij, Abrashi theksoi lidhjen e fortë emocionale me klubin.
“Grasshopper është shtëpia ime. I detyrohem shumë këtij klubi dhe të gjithë e dinë sa shumë rreh zemra ime për GC Zurich. Do të vazhdoj të jap gjithçka në fushë!”
Pavarësisht ulje-ngritjeve gjatë viteve, përkushtimi i ish-mesfushorit të Kombëtares shqiptare ka qenë i vazhdueshëm, duke u kthyer në një shembull për brezat e rinj të skuadrës.
