Didier Deschamps pritet që të përfundojë aventurën e tij me Franca kombëtarja e futbollit pas Kupës së Botës 2026. Pas 14 vitesh në krye të “Gjelave”, ku arriti të fitojë Kupën e Botës në 2018 dhe të shkojë në finale në 2022, tekniku francez duket i vendosur të mbyllë këtë kapitull të suksesshëm.
Sipas raportimeve nga RMC Sport, emri i tij është përfshirë në listën e kandidatëve për të marrë drejtimin e Real Madrid. Klubi madrilen po kalon një periudhë jo të qëndrueshme dhe po kërkon një trajner me përvojë të madhe për të rikthyer stabilitetin dhe suksesin.
Deschamps shihet si një profil ideal për disa arsye. Ai është i njohur për aftësinë në menaxhimin e grupeve me lojtarë të nivelit të lartë dhe për ruajtjen e balancave në skuadër. Gjithashtu, ai ka një marrëdhënie të konsoliduar me disa prej lojtarëve kryesorë francezë të Realit, si Kylian Mbappé, Aurélien Tchouaméni dhe Eduardo Camavinga, të cilët i ka drejtuar te kombëtarja.
Përvoja e tij në fitimin e trofeve dhe aftësia për të përballuar presionin në nivelet më të larta e bëjnë atë një kandidat serioz për stolin e “Los Blancos”. Megjithatë, Real Madridi nuk është i vetmi opsion. Deschamps është në vëmendjen e disa klubeve elitare në Europë dhe ka gjithashtu oferta të rëndësishme nga tregu i Lindjes së Mesme.
Vendimi përfundimtar pritet të merret pas Botërorit 2026, kur trajneri francez do të përcaktojë hapin e radhës në karrierën e tij.
