Sezoni 2025-2026 po rezulton tepër i ndërlikuar për Kristjan Asllani. Mesfushori i kombëtares shqiptare, i cili dikur shihej si pasardhës i Hakan Çalhanoğlu te Inter, po kalon një periudhë të vështirë pas largimit nga klubi zikaltër në kërkim të më shumë minutave.
Eksperiencat e tij fillimisht te Torino dhe më pas te Beşiktaş nuk kanë përmbushur pritshmëritë. Sipas analizave të La Gazzetta dello Sport, lojtari shqiptar nuk ka arritur të përballojë presionin që e ka shoqëruar që prej transferimit te Interi.
Fillimi te Beşiktaş ka qenë veçanërisht negativ. Një debutim i shoqëruar me karton të kuq dhe një bilanc modest prej vetëm një asisti në tetë ndeshje kanë ndikuar në rënien e besimit ndaj tij. Si pasojë, klubi turk nuk duket i gatshëm të investojë rreth 12 milionë euro për ta blerë përfundimisht.
Në këto kushte, e ardhmja e Asllanit mbetet e paqartë. Ai pritet të rikthehet te Interi në fund të sezonit, por vetëm për të kërkuar një destinacion të ri. Vera do të jetë vendimtare për mesfushorin shqiptar, i cili duhet të rigjejë formën dhe besimin për të shpëtuar një karrierë që premtonte shumë.
