Detaje të reja janë bërë publike nga ngjarja e rëndë e regjistruar mëngjesin e sotëm në zonën e Lozhanit, në Bashkinë e Maliqit, ku gjatë një operacioni policor humbi jetën një punonjës i Policisë së Shtetit.
Sipas informacioneve të raportuara, efektivi që mbeti i vrarë është Enea Mekolli, ndërsa punonjësi i policisë i plagosur është Edison Adri, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Burime policore bëjnë me dije se strukturat e Policisë kishin identifikuar vendndodhjen e një personi të shpallur në kërkim dhe kishin organizuar një operacion për kapjen e tij në zonën e Maliqit. Gjatë ndërhyrjes, në një zonë malore në periferi të njësisë administrative Lozhan, ka pasur shkëmbim zjarri mes efektivëve dhe personit të kërkuar.
Si pasojë e përplasjes me armë, humbi jetën efektivi Enea Mekolli, u plagos kolegu i tij Edison Adri, ndërsa mbeti i plagosur edhe personi i shpallur në kërkim, i cili më pas u vu në pranga nga forcat e policisë.
Sipas të dhënave paraprake, i kërkuari është shtetasi Violand Bracellari. Mësohet se efektivët kishin shkuar fillimisht në banesën e tij, ndërsa ngjarja u përshkallëzua gjatë operacionit për arrestimin e tij.
Autori i dyshuar ndodhet nën kujdesin e mjekëve në spital, pasi ka mbetur i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit. Ndërkohë, grupet hetimore vijojnë punën për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe dinamikën e ngjarjes.
Vijon…
