Prej 13 ditësh, 34-vjeçari Eglant Koçi vijon të jetë i zhdukur, ndërsa policia ende nuk ka arritur të sigurojë gjurmë të tij.
Sipas burimeve hetimore, Policia e Shtetit dyshon se Koçi mund të jetë eliminuar fizikisht nga miku i tij 41-vjeçar, Armand Shakaj, i cili aktualisht është në kërkim.
Forcat policore kanë zgjeruar kërkimet në të gjithë territorin e vendit, duke përfshirë zona urbane, rurale dhe terrene malore, me qëllim gjetjen e trupit të dyshuar të viktimës, i cili mendohet se mund të jetë fshehur në periferi të Tiranës.
Hetuesit dyshojnë se i kërkuari ka ndryshuar pamjen fizike dhe identitetin e tij të përditshëm për t’iu shmangur kapjes, si dhe ka ndërprerë komunikimet tradicionale, duke përdorur mjete alternative të komunikimit dhe karta SIM të huaja.
Policia vijon hetimet intensive me metoda speciale, ndërsa autoritetet besojnë se arrestimi i të dyshuarit mund të jetë kyç për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

