SKANDAL NË SPITALIN E KORÇËS: “SHËNDETËSIA FALAS” NË MËSHIRË TË FATIT DHE QYTETARET ME SYTË NGA ZOTI!

SKANDAL NË SPITALIN E KORÇËS: “SHËNDETËSIA FALAS” NË MËSHIRË TË FATIT DHE QYTETARET ME SYTË NGA ZOTI!

Në Spitalin Rajonal të Korçës, fjala “shëndetësi” po kthehet në një term abstrakt, ndërsa “falas” ngjan me një fyerje për inteligjencën e qytetarëve. Prej kohësh, ky institucion po përballet me një kolaps furnizimesh që nuk kursen asnjë nga medikamentet jetike deri te mjetet më bazike të punës. ​Burime pranë spitalit bëjnë me dije se mungojnë medikamente dhe pajisje bazë të urgjencës, si shiringat, vigonat, tubat e serumit, materialet sterile, oksigjeni dhe medikamente të domosdoshme për trajtimin emergjent të pacientëve.

 Realiteti brenda mureve të spitalit është alarmante. Madje, edhe vetë serumet janë kthyer në një artikull të rrallë. ​Në këtë situatë absurde, stafi mjekësor, i cili shpesh përballet edhe me vonesa të pashpjegueshme të pagave, është lënë në vijën e parë të frontit pa asnjë “armë”. E vetmja gjë që u ka mbetur në dorë është uji fiziologjik dhe aspirina. Bluzat e bardha duhet të përballen çdo ditë me zemëratën e drejtë të qytetarëve, duke u bërë “muri” ku përplaset indinjata e një populli të tradhtuar nga sistemi, ndërkohë që vetë punojnë në kushte mbijetese.​

​Në krye të këtij dështimi qëndron Litian Broka, drejtori aktual i Spitalit Rajonal Korçë. Por, në vend që të kërkojë llogari për depot e zbrazëta, energjia e drejtorisë duket se shpenzohet në demonstrimin e një servilizmi partiak deri në përulje ndaj drejtuesëve të lartë të partisë. Paaftësia për të menaxhuar nevojat emergjente të spitalit mbulohet me petkun e militantit besnik. Për drejtorinë, buzëqeshja ndaj eprorëve të rilindjes peshon më shumë se jeta e një pacienti që detyrohet të blejë çdo gjë në farmacitë private. Jeta e qytetarit korçar është kthyer në zarat e tavolinës së kumarit “Rilindas”, ku fati është i vetmi faktor që të shpëton.​

Nëse pushteti ka dështuar, opozita korçare ka zgjedhur të jetë një hije e padukshme. Prej vitesh, Dega Lokale e PD-së në Korçë nuk ndihet për asnjë denoncim real. Ajo ka pushuar së qeni një alternativë, duke u mjaftuar me statusin e një spektatori pasiv. Për më tepër, shumë nga drejtuesit e saj janë shndërruar në “opozitarë facebook-u”, ku guximi i tyre fillon dhe mbaron te një postim virtual, ndërsa në terren braktisin qytetarin në pikën e tij më të dobët. ​Pas zgjedhjeve të 11 Majit, deputetët e PD-së për qarkun duket se kanë agjenda krejtësisht të ndryshme nga hallet e spitalit.​

Drejtuesi politik Ivi Kaso pasi siguroi mandatin, Korçën e viziton vetëm për darka me “miqtë” e pushtetit që ai vetë po përpiqet t’i promovojë, duke harruar misionin e kontrollit ndaj qeverisjes.​

Bledion Nallbati, i stacionuar tashmë komod në Tiranë, ku zelli i tij kufizohet te ndonjë përleshje në protesta, por zëri i tij nuk u dëgjua kurrë në parlament për krizën e medikamenteve në qytetin e tij.​

Ledina Alolli e zënë me “standardet estetike” të Tiranës, ku vizitat e saj fundjavave mbeten në nivelin e inspektimeve rrugore (si Qukës-Qafë Plloçë), pa guxuar të bëjë asnjë denoncim real për miqtë e saj që drejtojnë shëndetësinë lokale.

​Fidel Kreka duket se energjitë e tij i ka gëlltitur nga luftërat e brendshme të partisë, duke lënë pas dore jetën e qytetarit që nuk pret fitore në seli, por shërbim në spital.​​

Korça sot ndodhet mes dy zjarreve, një drejtuesi spitali që prioritet ka servilizmin partiak dhe një opozite “virtuale” që denoncon vetëm pas ekranit të telefonit. Në mes të këtij teatri politik mbetet pacienti korçar, i cili paguan dy herë një herë me taksa dhe një herë me jetën e tij në “kumarin” e një sistemi të kalbur.

Mbetet për t’u parë nëse do të ketë reagime konkrete nga drejtuesit e Spitalit Rajonal të Korçës apo nga përfaqësuesit politikë opozitarë për adresimin e këtyre shqetësimeve.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *