Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje Iran që të lirojë menjëherë aktivisten për të drejtat e njeriut, Narges Mohammadi, duke paralajmëruar se jeta e saj është në rrezik për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.
Reagimi erdhi nga zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për të Drejtat e Njeriut, Riley Barnes, përmes një postimi në platformën X, ku theksoi se Mohammadi po merr trajtim të pamjaftueshëm mjekësor.
“Ajo ndodhet në gjendje kritike dhe po merr kujdes mjekësor krejtësisht të pamjaftueshëm”, shkroi Barnes, duke shtuar se bota po ndjek me shqetësim zhvillimet.
Në deklaratën e tij, zyrtari amerikan akuzoi autoritetet iraniane se e kanë burgosur Mohammadi-n për shkak të aktivizmit të saj në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe kritikave ndaj regjimit.
“Regjimi iranian e burgosi sepse përdori zërin e saj në mbrojtje të popullit iranian dhe aspiratave të tij për një jetë më të mirë. I bëjmë thirrje ta lirojë menjëherë dhe t’i ofrojë kujdesin që i nevojitet. Bota po vëzhgon”, thuhet në reagim.
Kujtojmë se Mohammadi u vlerësua me Çmimi Nobel për Paqen në vitin 2023, ndërsa ndodhej në burg, për angazhimin e saj në mbështetje të të drejtave të grave dhe kundër dënimit me vdekje në Iran.
Sipas familjarëve, ajo pësoi infarkt në fund të muajit mars dhe më 1 maj u transferua në një spital në veriperëndim të Iranit, pasi gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua me shpejtësi.
