Donald Trump ka deklaruar se i ka vendosur Bashkimi Europian një afat deri më 4 korrik për të përmbushur angazhimet në kuadër të marrëveshjes tregtare me SHBA-në, duke paralajmëruar rritje të menjëhershme të tarifave në të kundërt.
Njoftimi u bë përmes një postimi në platformën Truth Social, pas një bisede telefonike me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
“Kam pritur me durim që BE-ja të përmbushë pjesën e saj të marrëveshjes historike tregtare që arritëm në Turnberry të Skocisë, marrëveshja më e madhe tregtare në histori”, shkroi Trump.
Ai theksoi se BE duhet të ulë tarifat në zero, duke paralajmëruar pasoja të menjëhershme në rast të mosrespektimit të afatit.
“Pranova t’i jap BE-së afat deri në 250-vjetorin e vendit tonë. Në të kundërt, fatkeqësisht, tarifat ndaj saj do të rriten menjëherë në nivele shumë më të larta”, deklaroi ai.
Sipas Trump, gjatë bisedës me von der Leyen u diskutua edhe çështja e Iranit dhe programit të tij bërthamor.
“Ramë dakord që Irani nuk mund të zotërojë kurrë armë bërthamore”, u shpreh ai, duke shtuar se një regjim që vret popullin e vet nuk mund të kontrollojë një armë të tillë me pasoja globale.
