Oficeri i Policisë Gjyqësore në Sarandë, Edmond Ruçi, është ndaluar zyrtarisht nga shërbimet e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), me urdhër të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë. Ndaj efektivit rëndojnë dyshime të arsyeshme për përfshirje në veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.Sipas njoftimit zyrtar të organit të akuzës, ky procedim penal ka lindur si rrjedhojë e një hetimi tjetër të hapur për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Bëhet fjalë për një çështje në ngarkim të shtetasve Keivin Duro dhe Adriel Zanaj, të cilët u arrestuan në flagrancë pasi në automjetin ku udhëtonin u gjetën dhe u sekuestruan 24 doza me lëndë të dyshuar narkotike të llojit cannabis sativa.Oficeri Edmond Ruçi ishte pikërisht personi i ngarkuar për të kryer hetimet dhe veprimet procedurale ndaj dy të rinjve të arrestuar për drogë. Gjatë ndjekjes së këtij rasti, prokurori i gatshëm ka konstatuar elemente dyshues dhe të dhëna konkrete se oficeri i policisë gjyqësore po kryente veprime të kundërligjshme dhe korruptive në favor të personave nën hetim.Pas verifikimeve të menjëhershme, prokuroria ka lëshuar urdhër-ndalimi ndaj efektivit Ruçi për krimin e parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal. Aktualisht, Prokuroria e Sarandës në bashkëpunim me AMP-në po vijojnë veprimet e mëtejshme hetimore për të dokumentuar të gjithë veprimtarinë e dyshuar korruptive të punonjësit të policisë.
