Kryeministri Edi Rama ka nisur javën duke iu përgjigjur kritikëve të tij me një vjershë të shkrimtarit të njohur Dritëro Agolli.
Ai ka cituar poezinë “Kundërshtarëve të mi”, e cila hapet me vargjet: “Ju aq baltë po hidhni mbi mua, Sa në baltën që kam përmbi trup, Mund të mbijë një dardhë a një ftua, Një korije e madhe me dushk”.
Ky reagim vjen në një moment kur një ditë më parë në Tiranë u zhvillua protesta e 36-të qytetare, ku protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit dhe të qeverisë.
Gjatë deklarimeve të tij të fundit, Rama është shprehur se një ekip i posaçëm po dëgjon me vëmendje të gjitha mesazhet që, sipas tij, duhen marrë parasysh nga protesta e zhvilluar në bulevard.
Ai ka dalluar gjithashtu dy kategori mes protestuesve: ata që, sipas tij, përcjellin shqetësime reale qytetare dhe një grup tjetër që është përfshirë në akte dhune gjatë tubimeve.
Deklaratat dhe reagimi i kryeministrit vijnë në një klimë të vazhdueshme tensionesh politike dhe protestash në kryeqytet.

