Kryeministri Edi Rama ka zbuluar planet për një tjetër investim strategjik me përmasa të mëdha në bregdetin shqiptar, duke bërë të ditur se projekti i radhës pritet të zhvillohet në zonën mes Kavajës dhe Durrësit.
Gjatë festës së organizuar nga Partia Socialiste në Fier, Rama deklaroi se qeveria po punon për të tërhequr investime të reja të huaja, duke lënë të kuptohet se projekti i ri mund të jetë po aq i madh, ose edhe më i madh, sesa investimi prej 4 miliardë dollarësh i shpallur më herët për zonën e Zvërnecit në Vlorë.
“Edhe të tjera investime kaq të mëdha do t’i sjellim Shqipërisë. Shumë shpejt do ta shikoni dhe jam shumë kurioz se çfarë do të thonë për atë. Do t’i sjellim një investim po aq të madh, mbase edhe më të madh, diku mes Kavajës dhe Durrësit”, u shpreh kryeministri.
Megjithëse nuk dha detaje konkrete mbi natyrën e projektit, vlerën financiare apo investitorët e përfshirë, deklarata e Ramës sugjeron se bëhet fjalë për një zhvillim të rëndësishëm në sektorin e turizmit, infrastrukturës ose pasurive të paluajtshme.
Njoftimi vjen në një kohë kur qeveria shqiptare po promovon një sërë projektesh të mëdha investimi në zonat bregdetare, me synimin për të rritur kapacitetet turistike dhe për të tërhequr kapital të huaj në ekonomi.
Pritet që në javët ose muajt e ardhshëm të bëhen publike më shumë detaje lidhur me projektin që, sipas kryeministrit, mund të shndërrohet në një nga investimet më të mëdha të realizuara ndonjëherë në Shqipëri.
