Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj raportit të fundit të Reporterët pa Kufij, duke kundërshtuar vlerësimet mbi gjendjen e medias në Shqipëri.
Në një postim të gjatë në platformën X, Rama ka paraqitur të dhëna që, sipas tij, ofrojnë një panoramë të ndryshme nga ajo e raportit ndërkombëtar. Kreu i qeverisë ka bërë të ditur se analiza është realizuar nga një startup shqiptar dhe bazohet në përdorimin e inteligjencës artificiale, duke përfshirë mbi 4,500 artikuj nga 43 media të monitoruara për një periudhë 66-ditore.
Sipas tij, rezultatet tregojnë se zëri i opozitës në media është më i pranishëm se ai i qeverisë. Rama thekson se shqetësimet për pronësinë e mediave dhe kushtet e punës së gazetarëve janë reale dhe duhen adresuar, por kritikon raportin e Reporterëve pa Kufij si të njëanshëm dhe të paplotë.
“Ne i marrim shumë seriozisht shqetësimet për pronësinë e mediave dhe kushtet e punës së gazetarëve. Këto janë çështje reale dhe duhen adresuar. Por të injorosh plotësisht realitetin empirik dhe ta paraqesësh Shqipërinë si një vend me media të kapura dhe gazetari nën sulm politik? Në rastin më të mirë, kjo e bën analizën jo vetëm të paplotë, por edhe më të varfër,” – shkruan Rama.
Ndërkohë, në raportin më të fundit, Reporterët pa Kufij rendisin Shqipërinë në vendin e 83-të, me një rënie prej tre pozicionesh krahasuar me një vit më parë. Sipas këtij raporti, gazetarët në vend përballen me presione politike dhe raste të frikësimit, si nga politika ashtu edhe nga krimi i organizuar.
Në dokument theksohet se gazetarët kritikë shpesh bëhen objekt sulmesh diskredituese dhe hasin vështirësi në sigurimin e informacionit zyrtar, ndërsa përmendet edhe ndikimi i politizimit të institucioneve rregullatore dhe drejtimit të mediave publike.
