QIRATË NË TIRANË ARRIJNË 721 EURO NË MUAJ, NJË INDIVID SHPENZON DERI NË 97% TË PAGËS PËR STREHIM

QIRATË NË TIRANË ARRIJNË 721 EURO NË MUAJ, NJË INDIVID SHPENZON DERI NË 97% TË PAGËS PËR STREHIM

Kostoja e jetesës në Tiranë po bëhet gjithnjë e më e papërballueshme, teksa qiraja mesatare e apartamenteve në kryeqytet ka arritur në 721 euro në muaj gjatë vitit 2026, sipas të dhënave të tregut imobiliar. Në të njëjtën kohë, të ardhurat e qytetarëve nuk po rriten me të njëjtin ritëm, duke e kthyer strehimin në një nga sfidat më të mëdha financiare për familjet shqiptare.

Sipas koeficientit ndërkombëtar të përballueshmërisë së strehimit, një familje apo individ konsiderohet se përballon kostot e banimit kur qiraja nuk i kalon 30% të të ardhurave mujore bruto. Kur ky nivel tejkalohet, familjet hyjnë në atë që ekspertët e quajnë “stres financiar për strehimin”, ndërsa një nivel mbi 50% konsiderohet barrë ekstreme.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se paga mesatare mujore bruto në Shqipëri për tremujorin e parë të vitit 2026 ka arritur në 90,119 lekë, ose rreth 930 euro. Kjo do të thotë se një individ me pagë mesatare duhet të shpenzojë rreth 77% të të ardhurave bruto vetëm për të paguar qiranë mesatare në Tiranë.

Situata bëhet edhe më alarmante kur merret në konsideratë paga neto. Me një të ardhur mujore neto prej rreth 72 mijë lekësh, ose afërsisht 740 euro, pagesa e qirasë prej 721 eurosh përthith gati 97% të të ardhurave mujore, duke e bërë praktikisht të pamundur përballimin e kostove të tjera të jetesës.

Edhe familjet me dy të ardhura nuk i shpëtojnë kësaj barre. Një familje me tre anëtarë, ku dy të rritur përfitojnë paga mesatare, shpenzon rreth 39% të të ardhurave bruto për qira, ndërsa kjo përqindje rritet në 49% të të ardhurave neto, shumë mbi kufirin e rekomanduar ndërkombëtarisht.

Përveç strehimit, familjet shqiptare vijojnë të shpenzojnë pjesën më të madhe të buxhetit për ushqime. Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2024, shpenzimet për “ushqime dhe pije jo-alkoolike” përbënin 39.6% të konsumit mujor, ose mesatarisht 36,879 lekë, një nivel dukshëm më i lartë se mesatarja e Bashkimit Europian prej rreth 13%.

Ndërkohë, tregu i qirave në Tiranë vijon të mbetet nën presion. Në zonat pranë qendrës, apartamentet 1+1 jepen me qira nga 600 deri në 900 euro në muaj, ndërsa në periferi çmimet luhaten nga 400 deri në 500 euro.

Rritje janë regjistruar edhe në zona të tjera të kërkuara. Pranë stadiumit “Dinamo”, qiratë për apartamente 1+1 kanë arritur deri në 1,000 euro, ndërsa në zonën e Liqenit çmimet maksimale kanë shkuar në 1,500 euro në muaj, rreth 15% më shumë se një vit më parë. Në rrugën e Kosovarëve, pranë Komunës së Parisit, apartamente të kësaj tipologjie, të shoqëruara me post parkimi, po ofrohen deri në 900 euro në muaj.

Sipas agjentëve imobiliarë, një ndër arsyet kryesore të rritjes së qirave është zgjerimi i tregut të qirave afatshkurtra përmes platformave turistike. Të dhënat e AirDNA tregojnë se vetëm në Tiranë ishin të listuara mesatarisht rreth 5,200 njësi akomoduese gjatë vitit 2025, nga rreth 1,000 njësi në vitin 2021, duke shënuar një pesëfishim.

Ekspertët paralajmërojnë se, nëse nuk rritet oferta për qira afatgjata dhe nuk ndërmerren politika që lehtësojnë aksesin në strehim, presioni mbi buxhetet familjare pritet të vijojë edhe gjatë vitit 2026.

Burimi: Monitor

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *