Sot pritet të publikohen emrat e lojtarëve të përzgjedhur nga trajneri i ri i Kombëtares së Shqipërisë, Rolando Maran, për ndeshjet miqësore të muajit qershor. Kjo do të jetë edhe lista e tij e parë zyrtare në krye të skuadrës kombëtare.
Në listë nuk mungojnë risitë, ndërsa deri tani janë përmendur emrat e Luis Hasa dhe Pano Qirko. Maran duket se po i beson lojtarëve me origjinë shqiptare që aktivizohen në Itali, pasi krahas Hasës është ftuar edhe Kristian Shpendi, i cili luan në Serinë B italiane.
Luis Hasa ka qenë më herët edhe në vëmendjen e ish-trajnerit Silvinjo, i cili kishte nisur procesin e afrimit të tij me përfaqësuesen shqiptare, duke e konsideruar si një talent me perspektivë.
Lista zyrtare do të publikohet në orën 10:00, ndërsa konferenca për shtyp e trajnerit do të nisë në orën 11:00.
Kombëtarja shqiptare e futbollit ka në program dy ndeshje miqësore në stadiumin “Air Albania”. Sfidat do të luhen ndaj Izraelit dhe Luksemburgut.
