Partia Demokratike e Shqipërisë ka propozuar një sërë ndryshimesh në statut, të cilat synojnë riorganizimin e strukturave të partisë, rritjen e përfaqësimit dhe forcimin e proceseve të përzgjedhjes së kandidatëve.
Një nga risitë kryesore lidhet me fuqizimin e rolit të mërgatës shqiptare në jetën politike të partisë. Sipas propozimeve, 15% e listave zgjedhore dhe e organeve drejtuese duhet të përbëhen nga përfaqësues të mërgatës.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu rritjen e përfaqësimit të grave dhe vajzave në strukturat e partisë, nga 30% në 40%.
Një tjetër pikë e rëndësishme është krijimi i Komisionit për Përzgjedhjen e Kandidatëve për deputetë dhe kryetarë bashkish. Ky komision do të funksionojë si strukturë e pavarur nga organet drejtuese të partisë dhe do të veprojë përpara procesit të zgjedhjeve të brendshme.
Propozimet përfshijnë edhe përmirësimin e organizimit bazë të partisë, duke forcuar rolin e grupseksioneve, nëndegëve dhe Kolegjit të Kryetarëve të Grupseksioneve.
Po ashtu synohet forcimi i marrëdhënieve mes degëve të partisë dhe të zgjedhurve vendorë, veçanërisht këshilltarëve bashkiakë.
Në draftin e ri parashikohet edhe njohja e një statusi të barabartë për organizatat partnere të partisë, duke respektuar historinë e themelimit të saj.
Ndryshimet përfshijnë gjithashtu masa për mbrojtjen e të dhënave personale të anëtarëve të partisë, si dhe saktësimin e procedurave për shkarkimin e kryetarëve të degëve, me synimin për t’u dhënë më shumë garanci për qëndrimin në detyrë.
