Producenti fitues i çmimit Emmy, Jeffrey Mark, ka bërë deklarata të reja lidhur me jetën e hershme të këngëtarit të njohur Michael Jackson, duke pretenduar se ai ka qenë viktimë e abuzimit seksual në fëmijëri.
Sipas Mark, Jackson i kishte ndarë këto përjetime në biseda private gjatë fundviteve ’90 dhe fillimit të viteve 2000, duke i përshkruar ato si “lojë” dhe jo si abuzim, çka sipas tij tregon një perceptim të shtrembëruar të asaj që kishte përjetuar.
Producenti deklaron se kjo mënyrë interpretimi mund të ndihmojë në shpjegimin e disa prej marrëdhënieve të diskutueshme të Jackson me fëmijë, duke shtuar se këngëtari nuk e shihte veten si abuzues.
Mark pretendon gjithashtu se Jackson vuante nga trauma emocionale të fëmijërisë dhe kishte vështirësi në dallimin mes sjelljeve të pranueshme dhe atyre të papranueshme.
Deklaratat e Jeffrey Mark vijnë në një periudhë kur figura e Michael Jackson dhe trashëgimia e tij artistike janë rikthyer në qendër të vëmendjes, për shkak të dokumentarëve dhe projekteve biografike që kanë risjellë debatet rreth jetës së tij personale.
