Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka kërkuar ndjesë publike për një raportim të pasaktë të bërë nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë lidhur me një incident të ndodhur gjatë një proteste.
Sipas sqarimit zyrtar, qytetari i përfshirë në ngjarje nuk ishte futur me forcë brenda rrethimit të kantierit, siç ishte raportuar fillimisht nga Policia e Vlorës. Për këtë arsye, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë e cilësoi informacionin e publikuar si të gabuar dhe kërkoi falje publike.
Në reagimin e saj, Policia e Shtetit thekson se, megjithëse pjesa tjetër e komunikatës së Policisë së Vlorës rezulton e saktë, cenimi i besimit të publikut përmes raportimit të pasaktë nuk mund të justifikohet. Për këtë arsye, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vendosur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.
Lidhur me pretendimet e ngritura nga protestuesit, Policia bën me dije se ka verifikuar situatën dhe se territori i rrethuar rezulton pronë private, e pajisur me dokumentacion të rregullt hipotekor dhe me autorizimet ligjore përkatëse për rrethimin e saj.
Institucioni u është drejtuar gjithashtu qytetarëve që kundërshtojnë zhvillimin në këtë pronë, duke theksuar se çdo pretendim mbi pronësinë ose përdorimin e një prone private duhet të ndiqet përmes rrugëve gjyqësore.
Në përfundim, Policia e Shtetit rithekson se ka detyrimin ligjor të mbrojë integritetin e çdo prone private që disponon dokumentacion të rregullt ligjor, duke garantuar njëkohësisht zbatimin e ligjit dhe rendit publik.
