Pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, ka bërë një bilanc të punës së deritanishme, duke u ndalur te disa prej reformave dhe nismave kryesore.
Gjatë deklaratës për mediat, Demo u shpreh se “Paketa e Maleve” po ecën me ritme të shpejta, ndërsa në disa bashki janë përmbushur kushtet për të vijuar me procedurat konkrete për trajtimin e kërkesave.
Sa i përket Reformës Territoriale, ministri theksoi se mazhoranca mban përgjegjësinë kryesore për të çuar përpara procesin dhe për të ofruar zgjidhje konkrete.
“Komisioni i posaçëm është mbledhur edhe gjatë kësaj jave. Javën tjetër do të nisin takimet me të ftuarit e parë, mes të cilëve do të jem edhe unë. Komisioni ka të gjithë kohën e nevojshme për të bërë punën e tij,” deklaroi Demo.
Ai shtoi se është optimist për ecurinë e procesit, duke theksuar se ekzistojnë argumente të mjaftueshme që palët të adresojnë çështjet kryesore.
“Besoj që mazhoranca ka përgjegjësinë për të ofruar zgjidhje dhe për të çuar përpara reformat. Por jemi shumë të hapur që kjo të jetë një reformë gjithëpërfshirëse, ku të përfshihen të gjitha palët,” u shpreh ministri.
Procesi i Reformës Territoriale pritet të vijojë me konsultime dhe diskutime në javët në vijim.
