Votimi për zgjedhjen e kreut të ri të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike është shoqëruar me pakënaqësi dhe reagime të hapura nga disa anëtarë të forumit.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, propozoi si kandidatura për drejtimin e Këshillit Kombëtar Julia Emirin dhe Silva Hasën, por duket se emrat e tyre nuk janë pritur pozitivisht nga një pjesë e demokratëve.
Në disa prej fletëve të votimit janë evidentuar shënime kundërshtuese. Një anëtar ka kryqëzuar të dy kandidatet, duke shkruar pranë tyre shprehjen “0 kontribut”, ndërsa në një tjetër fletë është shënuar mesazhi “Një turp”.
Ndërkohë, një tjetër anëtar i Këshillit Kombëtar ka shprehur mbështetjen për Edi Palokën, duke shkruar emrin e tij në fletën e votimit, pavarësisht se ai nuk ishte pjesë e garës së propozuar.
Po ashtu, në një tjetër fletë votimi është vendosur një kryq i madh mbi emrat e dy kandidateve, në shenjë refuzimi ndaj alternativave të paraqitura për drejtimin e forumit më të lartë vendimmarrës të Partisë Demokratike mes dy kuvendeve kombëtare.
Reagimet në fletët e votimit pasqyrojnë pakënaqësitë e një pjese të anëtarëve lidhur me kandidaturat e propozuara, duke nxjerrë në pah debatet e brendshme që vijojnë të shoqërojnë demokratët.

