OPERACIONI “PERIMETRI 2”, 7 TË ARRESTUAR PËR DROGË DHE LOJËRA FATI

OPERACIONI “PERIMETRI 2”,  7 TË ARRESTUAR PËR DROGË DHE LOJËRA FATI

Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Perimetri 2”, të zhvilluar për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit në Laç.

Si rezultat i operacionit, janë arrestuar 7 persona, ndërsa autoritetet kanë sekuestruar lëndë narkotike të dyshuar Cannabis Sativa, 6 automjete, telefona celularë si edhe 7 pajisje elektronike që dyshohet se përdoreshin për lojëra fati.

Sipas hetimeve paraprake, lënda narkotike shpërndahej në zona të ndryshme të qytetit të Laçit, ndërsa në disa raste aktiviteti dyshohet se zhvillohej edhe pranë institucioneve arsimore.

Policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet.

Njoftimi

Sektori për Hetimin e Narkotikëve, Seksioni i Mbështetjes Operacionale dhe Sektori i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të DVP Lezhë, dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, finalizuan operacionin policor të koduar “Perimetri 2”.

Operacioni u finalizua pas disa muajsh hetime me metoda speciale, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, për disa shtetas që ushtronin aktivitetin kriminal të shitjes së lëndëve narkotike, në doza, në qytetin e Laçit.

Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, u bë i mundur dokumentimi ligjor i kësaj veprimtarie kriminale, ndalimi i 4 shtetasve dhe arrestimi në flagrancë i 2 të tjerëve, të gjithë banues në Laç, Kurbin, si të dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas siguronin lëndë narkotike Cannabis Sativa, të cilën e ndanin në doza dhe e shitnin në zona të ndryshme në qytetin e Laçit, në disa raste edhe afër shkollave.

Gjithashtu, gjatë operacionit, u zbulua 1 lokal ku organizoheshin lojëra fati, me kompjuterë, në kundërshtim me ligjin. Për këtë rast, u arrestua pronari i lokalit, babai i 2 prej shtetasve të arrestuar, i cili nuk e kishte regjistruar subjektin dhe punonjësit, në organet kompetente.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *