Pasi qëndruan për orë të tëra përpara zyrës së kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar dorëheqjen e tij për të 12-ën ditë radhazi, protestuesit vijuan tubimin me një marshim nëpër rrugët e kryeqytetit, ku pamjet e turmës së madhe kanë bërë xhiron e rrjeteve sociale.
Edhe pse mbrëmjen e djeshme Tirana u përfshi nga reshje të dendura shiu, protestuesit nuk u tërhoqën. Në videot e shpërndara në rrjetet sociale, ata shihen duke ecur nëpër qytet nën shi, ndërsa brohorasin: “Nuk na ndal as shiu”, duke e kthyer motin e keq në një mesazh këmbënguljeje dhe vendosmërie.
Gjatë marshimit nuk munguan edhe thirrjet drejtuar të rinjve dhe qytetarëve që ende nuk i janë bashkuar protestës. Mes tyre, më e përsëritura ishte: “Çohuni nga kafja”, një shprehje që tashmë është kthyer në një nga simbolet më të spikatura të kësaj vale protestash.
Për protestuesit, kjo thirrje përfaqëson një apel për të dalë nga indiferenca dhe për t’u bërë pjesë e reagimit qytetar. Ndërsa protesta hyn në ditën e saj të 12-të, organizatorët vijojnë të kërkojnë pjesëmarrje sa më të gjerë, duke theksuar se zëri i qytetarëve nuk do të zbehet as nga lodhja dhe as nga kushtet atmosferike.
Pamjet e marshimit nën shi janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, duke u komentuar si një dëshmi e vendosmërisë së protestuesve për të vazhduar aksionin e tyre deri në realizimin e kërkesave që kanë artikuluar prej ditësh.
