Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se gjatë ditës së sotme janë menaxhuar operacionet për përballimin e 16 vatrave të zjarrit në disa qarqe të vendit, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
Sipas njoftimit zyrtar, pesë prej vatrave vijojnë të jenë aktive, por janë vënë nën kontroll, ndërsa strukturat operacionale po vijojnë punën për shuarjen e plotë të tyre.
Operacionet janë zhvilluar në zona të ndryshme të vendit, përfshirë Hajdaraj-Synej në Kavajë, Drizë-Peshtan në Fier, Tale në Lezhë, Ulën në Elbasan dhe Divjakë.
Në terren janë angazhuar 261 forca operacionale, 40 automjete zjarrfikëse, dy helikopterë, 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy mjete zjarrfikëse të FA-së.
Në aksion kanë marrë pjesë gjithashtu forca të Policisë së Shtetit, Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), Shërbimit Pyjor, strukturave vendore të emergjencave civile dhe shërbimeve shëndetësore.
Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës në terren, ndërsa prioritet mbetet shuarja e plotë e vatrave aktive dhe parandalimi i riaktivizimit të tyre.

