Kur emri bëhet kriter ,një sinjal alarmi nga brenda PD në Korçë që vlen për të gjitha degët e PD në gjithë Shqipërinë! Në një moment që duhet të ishte e përqendruar te organizimi, gara dhe përfaqësimi politik, Partia Demokratike në Korçë po përballet me një debat që shkon përtej emrave të kandidatëve dhe prek thelbin e funksionimit të saj të brendshëm.Reagimi i kandidatit Bravaldi Xhafka, i cili me ironi deklaron se do të ndryshojë emrin në “Niko” për të përmbushur një “kriter të pashprehur”, nuk është thjesht një status i zakonshëm në rrjetet sociale. Ai është një sinjal i fortë pakënaqësie dhe një akuzë e maskuar ndaj mënyrës se si po menaxhohet gara për drejtimin e degës.Në thelb, mesazhi është i qartë: sipas tij, meritokracia është zëvendësuar nga kritere informale, që lidhen jo me kontributin apo integritetin, por me përkatësi të tjera ,në këtë rast, të nënkuptuara si fetare apo kulturore.Përdorimi i paralelizmit historik me emigrantët shqiptarë që dikur ndryshonin emrat për të mbijetuar, nuk është rastësor. Ai synon të godasë emocionalisht dhe të ngrejë një pyetje të fortë: a është e mundur që në vitin 2026, brenda një partie politike shqiptare, individët të ndihen të detyruar të “përshtaten” për të pasur shanse të barabarta? Edhe më shqetësuese është fakti që ky debat shpërthen vetëm pak ditë para zgjedhjeve, ndërkohë që kandidaturat ende nuk janë zyrtarizuar plotësisht. Kjo krijon një perceptim të fortë për mungesë transparence dhe për vendimmarrje të vonuar apo të orientuar.Në një vend ku bashkëjetesa fetare është një nga elementët më të rëndësishëm të identitetit kombëtar, çdo insinuatë për ndikim të fesë në vendimmarrje politike është e rrezikshme. Jo vetëm për imazhin e një partie, por për vetë standardet e demokracisë së brendshme.Megjithatë, përtej ironisë dhe simbolikës së përdorur, kjo ngjarje duhet lexuar si një simptomë më e thellë: mungesa e besimit në proces. Kur kandidatët ndihen të detyruar të flasin me sarkazëm për të artikuluar shqetësimet e tyre, problemi nuk është më individual është strukturor.Në fund, pyetja që mbetet nuk është nëse Bravaldi Xhafka do të quhet “Niko” apo jo. Pyetja reale është: a do të zhvillohet kjo garë mbi parimin e barazisë dhe meritës, apo mbi marrëveshje të heshtura që minojnë vetë idenë e konkurrencës politike?Sepse nëse emri bëhet kriter, atëherë problemi nuk është më thjesht i një dege lokale por i vetë kulturës politike që ajo përfaqëson.
statusi i Bravaldi Xhafka:
Na ishte njëherë një djalë nga Korça, që mendoi se në politikë hyn me punë, me sakrificë dhe me fytyrë të pastër.U rrit me këtë mendje… derisa një ditë i thanë: “Jo mor bir, këtu nuk mjafton kush je… duhet edhe çfarë feje ke.”Djali u mendua pak dhe i erdhi ndër mend një kohë e vjetër… kur shqiptarët merrnin rrugët e kurbetit dhe, për të mbijetuar, ndërronin emrin. Nga halli bëheshin Jorgo, Kostas, apo Niko… jo se donin, por se duhej. Me sa duket, historia paska mbetur gjallë… vetëm se këtë herë nuk jemi në emigracion, jemi këtu, në shtëpinë tonë… në Partinë Demokratike të Korçës , në vitin 2026.Kështu që mora një vendim të madh.Nga sot, nuk jam më Bravaldi.Jam Niko Xhafka.Tani, meqë u rregullua edhe “kriteri” qe mungonte, hajde ta shtyjmë garën,rishqyrtojeni dhe njëherë, meqë sot është data 22 Prill dhe zgjedhjet janë në 26 Prill dhe ende nuk kemi kanditaturat zyrtare. Dhe meqë drejtuesve ju pëlqen shumë “Niko-ja”… madje aq shumë sa marrëveshjet i bëjnë gjithmonë me të, në kurriz te demokratëve, vendosa dhe unë të quhem kështu! Tani e keni një Niko tuajin brenda shtëpisë, mendojeni dhe njëherë!Veçse ky Nikoja tuaj as shitet e as blihet! Rroftë Partia Demokratike! ✌🏻

