Partia Demokratike e Shqipërisë ka miratuar unanimisht ndryshimet në statut gjatë mbledhjes së zhvilluar këtë të mërkurë, ku nuk kanë munguar diskutimet mes drejtuesve të saj.
Sipas burimeve, ndryshimet statutore kanë marrë dakordësinë e plotë të Kryesisë, ndërsa është miratuar edhe lista e propozuar nga kryetari i partisë, Sali Berisha, për emrat e rinj të Këshillit Kombëtar.
Megjithatë, publikimi zyrtar i listës është shtyrë për ditën e nesërme. Sipas burimeve të gazetarit Anesti Barjamemaj, vendimi është marrë pasi pritet të ketë ndryshime në disa prej emrave të propozuar, përpara se lista të bëhet publike.
Mbledhja e Kryesisë vjen në një moment të rëndësishëm për demokratët, pas procesit të rizgjedhjes së kryetarit dhe debatit të brendshëm për reformimin e strukturave të partisë.
