AC Milan ka dështuar në mënyrë dramatike objektivin minimal të sezonit, kualifikimin në UEFA Champions League, pas humbjes 2-1 në “San Siro” ndaj Cagliari Calcio në javën e fundit të kampionatit.
Sipas La Gazzetta dello Sport, pasojat pritet të jenë të menjëhershme dhe shumë të forta. Pronari i klubit, Gerry Cardinale, ka vendosur të nisë një revolucion të plotë në organigramën drejtuese të klubit, duke e konsideruar menaxhimin aktual si përgjegjësin kryesor për sezonin zhgënjyes.
Në rrezik janë administratori Giorgio Furlani, drejtori teknik Geoffrey Moncada dhe drejtori sportiv Igli Tare, të cilët sipas raportimeve i kanë “orët e numëruara” në klubin kuqezi.
Drejtuesit akuzohen se nuk arritën të ndërtonin një skuadër konkurruese, pavarësisht investimeve të konsiderueshme gjatë merkatos. Ndërkohë, në dyshim mbetet edhe e ardhmja e trajnerit Massimiliano Allegri, i cili pritet të përballet me një analizë të thellë për sezonin negativ.
Pas largimeve të mundshme në drejtim, priten edhe vendime drastike për skuadrën dhe projektin sportiv të Milanit.
