Kleofina Pnishi dhe futbollisti francez Benjamin Pavard do të bëhen prindër për herë të parë.
Lajmin e ka konfirmuar vetë modelja përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ku çifti shfaqet së bashku, ndërsa bie në sy edhe barku i rrumbullakosur i saj, duke konfirmuar pritjen e ëmbël.
Çifti i dha fund beqarisë në korrik 2025, në një ceremoni të zhvilluar në Abacia e Trinisë së Shenjtë në Cava de’ Tirreni, Itali, në prani të familjarëve dhe miqve të afërt.
Në rrëfimet e mëparshme, Kleofina ka folur edhe për historinë e dashurisë me Pavard, duke treguar detaje nga propozimi për martesë dhe takimi i futbollistit me babain e saj.
Ajo ka kujtuar momentin romantik të propozimit që ndodhi në Saranda, një ditë para ditëlindjes së saj, duke e përshkruar si një përjetim emocional dhe të papërsëritshëm.
Modelja ka theksuar gjithashtu rëndësinë e miratimit të familjes në jetën e saj personale, duke u shprehur se mbështetja e babait të saj ka qenë vendimtare në marrëdhënien me futbollistin francez.

