Në ceremoninë e homazheve të zhvilluara në nder të ish-kryetarit të Kuvendit Servet Pëllumbi, i cili u nda nga jeta ditën e djeshme, ka tërhequr vëmendje fjala emocionale e të birit, Arben Pëllumbi.
Duke folur me tone të forta emocionale, ai u shpreh se ndihej krenar për figurën e të atit dhe për trashëgiminë që ai ka lënë pas, duke theksuar vlerat familjare dhe morale që, sipas tij, e kanë karakterizuar gjatë gjithë jetës.
“Ju falënderoj të gjithëve. Sot qëndroj para jush me një dhimbje të thellë në zemër, për t’i dhënë lamtumirën njeriut tonë të zemrës. Babai ynë nuk ishte thjesht një prind, por me vlerë të rrallë. Ai na mësoi të jetojmë me përgjegjshmëri dhe me dashuri për familjen. Na mësoi të mos ulim kokën para padrejtësive,” – u shpreh Arben Pëllumbi.
Ai shtoi se kujtimi i të atit do të mbetet gjithmonë i gjallë në familje dhe te të gjithë ata që e kanë njohur.
“Sot dua të them me krenari që jam djali i tij. Largimi i tij ka lënë boshllëk të madh, por edhe dritë të fortë, shembullin e jetës së tij. Lamtumirë profesor, do të jesh gjithmonë pranë nesh. U prehsh në paqe,” – përfundoi ai.
