Gjykata Kushtetuese ka publikuar vendimin e arsyetuar lidhur me ankimin kushtetues të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke pranuar pjesërisht kërkesën e tij dhe duke shfuqizuar vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë për masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Në vendimin nr. 57, datë 25 maj 2026, të shpallur më 1 korrik 2026, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që çështja t’i kthehet Gjykatës së Lartë për rishqyrtim, pasi ka konstatuar probleme kushtetuese në mënyrën e trajtimit të pretendimeve të paraqitura nga mbrojtja.
Sipas arsyetimit të publikuar, Gjykata e Lartë nuk ka ushtruar një kontroll efektiv mbi proporcionalitetin e masës më të rëndë të sigurisë personale, atë të arrestit në burg, si dhe nuk ka analizuar në mënyrë të individualizuar të gjitha pretendimet e ngritura në rekurs. Gjykata Kushtetuese vlerëson se instanca më e lartë gjyqësore është mjaftuar kryesisht me miratimin e arsyetimit të gjykatave më të ulëta, pa verifikuar nëse ky arsyetim ka adresuar plotësisht argumentet e mbrojtjes, përfshirë edhe mundësinë e aplikimit të masave më të lehta sigurie si “garancia pasurore”.
Një tjetër element i theksuar në vendim lidhet me ndikimin e masës së arrestit në ushtrimin e funksionit publik. Sipas Gjykatës Kushtetuese, Gjykata e Lartë nuk ka bërë analizë të veçantë mbi efektet që paraburgimi ka në ushtrimin e mandatit të kryetarit të bashkisë, të fituar me votë të drejtpërdrejtë.
Po ashtu, gjykata ka konstatuar se pretendimet për trajtimin e Veliajt në sallën e gjyqit, përfshirë qëndrimin në “kafaz” ose kabinë xhami, nuk janë shqyrtuar nga Gjykata e Lartë, duke prekur parimin e prezumimit të pafajësisë dhe dinjitetit njerëzor.
Në përfundim, Kushtetuesja thekson se vendimi i Gjykatës së Lartë nuk përmbush standardin kushtetues të arsyetimit lidhur me kufizimin e lirisë personale dhe proporcionalitetin e masës së sigurisë.
Gjykata Kushtetuese nuk është shprehur për fajësinë apo pafajësinë e Veliajt dhe as nuk ka vendosur lirimin e tij, por ka urdhëruar rishqyrtimin e çështjes nga Gjykata e Lartë.
Me këtë vendim, çështja rikthehet sërish në Gjykatën e Lartë, e cila pritet të japë një vendim të ri duke adresuar në mënyrë të plotë pretendimet kushtetuese të ngritura në rekurs.

