GJENDET PAS 48 ORËSH TRUPI I PAJETË I 37-VJEÇARIT QË U MBYT NË LIQENIN E ULZËS

GJENDET PAS 48 ORËSH TRUPI I PAJETË I 37-VJEÇARIT QË U MBYT NË LIQENIN E ULZËS

Pas rreth 48 orësh kërkime intensive, është gjetur trupi i pajetë i 37-vjeçarit Armando Zajsi, i cili humbi jetën në ujërat e Liqenit të Ulzës pasditen e së hënës.

Trupi i viktimës u lokalizua nga një dron nënujore i Forcave Detare, i cili mbërriti në zonë këtë të mërkurë për të ndihmuar operacionin e kërkimit. Në operacion morën pjesë palombarët e forcave RENEA, efektivë të Forcave të Armatosura dhe shërbime të Mbrojtjes Civile të Bashkisë Mat.

Sipas informacioneve, 37-vjeçari u konstatua në një thellësi prej 37 metrash. Pas lokalizimit nga pajisja nënujore, palombarët e RENEA-s u zhytën dhe bënë të mundur nxjerrjen e trupit në sipërfaqe.

Më pas, trupi u transportua për ekspertizë mjeko-ligjore dhe pritet t’i dorëzohet familjes për ceremoninë mortore.

Armando Zajsi kishte mbërritur në Ulëz së bashku me kushërinj dhe miq për të kaluar mbrëmjen në një restorant të zonës. Të nesërmen ai do të rikthehej në Itali, ku jetonte dhe punonte prej vitesh.

Sipas të dhënave paraprake, ai kishte marrë një mjet lundrues tip jet ski dhe kishte hyrë në liqen duke bërë disa xhiro. Në një moment është rrëzuar nga mjeti dhe ka tentuar t’i afrohej me not, por dyshohet se ka humbur ndjenjat dhe është zhytur në thellësi, duke mos mundur të dalë më në sipërfaqe.

Autoritetet vijojnë procedurat për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes tragjike.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *