Policia e Fier ka finalizuar operacionin e koduar “No Guns 2”, i zhvilluar për goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje.
Si rezultat i aksionit është arrestuar 43-vjeçari Vasil Osmani, i cili dyshohet se mbante armë zjarri në banesën e tij.
Gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Levan, policia sekuestroi dy armë automatike tip “Kallashnikov” dhe municione luftarake.
Sipas autoriteteve, ndërhyrja u realizua pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Armët e sekuestruara janë dërguar në Laboratorin e Policisë Shkencore, ku do t’i nënshtrohen ekspertizës balistike për të verifikuar nëse janë përdorur në ngjarje kriminale të mëparshme.
Njoftimi i Policisë Fier:
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në zbatim të planit të masave për kontrollin dhe kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri ose i mbajnë ato pa leje në banesë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, finalizuan operacionin policor të koduar “No Guns 2”.
Në kuadër të këtij operacioni u kap dhe u arrestua një shtetas 43 vjeçar, banues në fshatin Levan, Fier.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 2 armë zjarri tip kallashnikov, si dhe municion luftarak, të cilat ai i posedonte pa leje.
Armët e zjarrit do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për të verifikuar nëse janë përdorur ose jo në ngjarje të mëparshme kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”.
