Eurodeputetja gjermane e të Gjelbërve, Jutta Paulus, ka reaguar pas përplasjeve mes protestuesve dhe policisë në Tiranë, duke deklaruar se “dhuna nuk është kurrë e pranueshme”.
Në një prononcim të cituar nga Politico, Paulus tha se gjatë protestës ku kishte marrë pjesë një ditë më parë kishte parë një atmosferë paqësore, me pjesëmarrjen e shumë familjeve dhe fëmijëve.
E pyetur për incidentet e së martës, ku nuk ishte e pranishme, ajo u shpreh se nuk mund të komentonte në detaje ngjarjet, por theksoi se çdo formë dhune është e papranueshme.
Përplasjet para Kuvendit shënuan një përshkallëzim të protestave që prej më shumë se një muaji ishin zhvilluar kryesisht në mënyrë paqësore. Rreth 200 protestues u mblodhën përpara Parlamentit ndërsa deputetët mbërrinin për seancën plenare.
Gjatë protestës u hodhën vezë drejt automjeteve të deputetëve, ndërsa policia shoqëroi me forcë disa aktivistë, duke çuar në tensionimin e situatës.
Pas ndalimeve, protestuesit marshuan drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës, duke kërkuar lirimin e tyre dhe duke akuzuar policinë për përdorim të tepruar force.
Në Tiranë gjatë këtyre zhvillimeve kanë qenë të pranishme edhe eurodeputetet Ilaria Salis, Tineke Strik dhe Anna Strolenberg, në mbështetje të protestuesve.

