ELENI FOUREIRA RRËFEN DHIMBJEN E FSHEHJES SË ORIGJINËS SHQIPTARE/ KISHA FRIKË SE NUK DO TË MË JEPESHIN MUNDËSI

ELENI FOUREIRA RRËFEN DHIMBJEN E FSHEHJES SË ORIGJINËS SHQIPTARE/ KISHA FRIKË SE NUK DO TË MË JEPESHIN MUNDËSI

Këngëtarja me origjinë shqiptare, Eleni Foureira, ka folur për herë të parë hapur mbi frikën që përjetonte në fillimet e karrierës së saj për të zbuluar publikisht origjinën shqiptare, duke pranuar se mendonte se kjo mund t’i mbyllte dyert në industrinë muzikore greke.

E ftuar në emisionin “The 2Night Show”, artistja tregoi se ishte rritur me bindjen se prejardhja e saj mund t’i kufizonte mundësitë për të ndërtuar një karrierë të suksesshme.

“Kur rritesh, kjo frikë të futet brenda. Mendoja se nëse thosha se jam nga Shqipëria, nuk do të më jepeshin mundësi të barabarta. Ky ishte realiteti që përjetoja,” u shpreh Foureira.

Ajo kujtoi gjithashtu periudhat e vështira që përjetonte familja e saj, duke zbuluar se nëna e saj vuante për paragjykimet dhe komentet negative me të cilat përballej.

“Nëna ime më përqafonte dhe qante duke më thënë: ‘Vajza ime, çfarë të kanë bërë? Ti nuk ke bërë asgjë’”, rrëfeu këngëtarja.

Foureira theksoi se mbështetja e njerëzve të afërt e ndihmoi të vazhdonte rrugëtimin artistik, derisa publiku filloi ta vlerësonte për talentin dhe punën e saj, pavarësisht origjinës.

Gjatë intervistës, artistja ndau edhe detaje nga historia e dashurisë me partnerin e saj, ish-futbollistin Alberto Botía. Ajo tregoi se e pa për herë të parë rreth dhjetë vite më parë, kur ai luante për Olympiacosin dhe kishte vizituar lokalin ku ajo performonte pas një fitoreje të skuadrës.

“Kur e pashë, mendova: ‘Sa i pashëm është, mos është aktor apo model?’. Nuk e dija fare kush ishte,” tha ajo me humor.

Më pas, Botía i dërgoi një mesazh në Instagram për ta përgëzuar për performancën, ndërsa prej atij komunikimi nisi marrëdhënia e tyre.

“Filluam të flisnim, dolëm bashkë dhe gjithçka nisi natyrshëm. Në nëntor festojmë 10 vjet bashkë,” zbuloi këngëtarja.

Çifti kanë një djalë, Hermesin, i lindur në shkurt të vitit 2023, dhe vijojnë të mbeten ndër çiftet më të njohura dhe më të dashura të showbiz-it grek.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *